fiti1
Publikuar më: 9 qershor 2016

Këtyre ditëve, pikërisht para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, duke pritur urime nga institucione dhe organizata të ndryshme, siç është bërë traditë vite me radhë, si këtu në Zvicër, po ashtu edhe në vende tjera të mbarë botës, u befasuam me dy shkrime (“Platformë për imamët selefistë” e datës 04.06.2016 dhe “Agjenda e dyfishtë” e datës 06.06.2016) në gazetën e përditshme zvicerane Tages Anzeiger, ku disa imamë, disa xhami dhe organizata ombrellë Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) – të gjithë subjekte që veprojnë brenda komunitetit musliman shqiptar në Zvicër – akuzohen si kultivues të një linje të ashpër të Islamit dhe pasues të orientimit kinse selefist në mesin e komunitetit ku ata veprojnë.

Për hir të lexuesve dhe informimit të drejtë të opinionit, UISHZ, i cili i përfaqëson edhe imamët e akuzuar në tekstet në fjalë, vendosi ta lëshojë këtë sqarim për opinion. Me këtë rast ne nuk kemi për synim të mos i marrim seriozisht kritikat dhe të mos reflektojmë rreth tyre, e as të reagojmë në mënyrën që s’na ka hije e ta zbrazim mllefin mbi dikë dhe të shpërthejmë me fjalë denigruese, ngase kjo nuk është pjesë e kulturës sonë fetare dhe njerëzore.

Artikujt e gazetës në fjalë vlerësohen nga ne fund e krye si keqinterpretim, jo korrektësi në transmetim të drejtë dhe të plotë të qëndrimeve, njëanshmëri në qasje, përfshirje parciale dhe jo e plotë e evenimenteve, fjalimeve dhe qëndrimeve, si dhe nxjerrje nga konteksti e prononcimeve, që të bën të fitosh përshtypjen se dikush, qëllimshëm, i shkel parimet bazë të gazetarisë dhe informimit të drejtë, si dhe abuzon në mënyrë të skajshme papërgjegjshëm me parimin bazë lirisë së shprehjes.

UISHZ dhe anëtarët e tij e çmojnë lartë lirinë e shprehjes si një e drejtë elementare e njeriut dhe tipar dallues i shoqërive të përparuara, por në të njëjtën kohë besojnë fuqishëm në mos cenimin e dinjitetit të tjetrit në forma të ndryshme të drejtpërdrejta ose të tërthorta në emër të lirisë së shprehjes, ngase liria e njërit përfundon atje ku fillon e drejta e tjetrit, ndërsa e drejtë e çdokujt, e garantuar me të gjitha dokumentet dhe konventat ndërkombëtare është të mos paragjykohet dhe të mos keqinterpretohet nga të tjerët. Me këtë rast, përskaj lirisë së shprehjes, e theksojmë parimin e përgjegjësisë për shprehjen që çdonjëri duhet ta respektojë, ngase kjo ndalon nga abuzimi me këtë parim kaq madhor të të drejtave të njeriut.

Imamët e akuzuar në shkrimet në fjalë, si dhe të gjithë imamët tjerë të cilët janë pjesë e UISHZ-së, në emër të të cilëve UISHZ ka të drejtë të flasë, kanë ardhur në Zvicër në mënyrë legale, me pëlqim të organeve zyrtare kompetente në shtetin Zviceran dhe duke i respektuar procedurat e kërkuara nga shteti zviceran. Ndërkaq, në procedurat e ardhjes së imamëve në Zvicër, sipas normave ligjore, parashihet që teologu përkatës të ketë edhe një leje pune që e vërteton aftësinë e tij profesionale dhe kapacitetin njerëzor dhe moral, që të punojë si imam dhe të jetë udhëheqës i një komuniteti nga ana e institucionit fetar islam i cili i përfaqëson muslimanët në vendin prej nga vjen teologu, gjegjësisht Bashkësinë Islame të Maqedonisë, Kosovës, apo një vendi tjetër. Për atë, të cilësosh imamët e mbledhur nën ombrellën e UISHZ-së, si klan ultrakonservativ, përfitues dhe thjeshtë biznesmenë, më së paku që mund të thuhet është kulturë e ulët e komunikimit, mos respekt ndaj personave të kualifikuar në institucione relevante për profesionin e vet, cenim të komunitetit të cilit i shërbejnë vite me radhë dhe i cili i pranon si udhëheqës të vet fetar, si dhe përbaltje dhe një forme fyerje ndaj autoritetit të institucionit përfaqësues fetar islam të muslimanëve në vendin prej nga vjen imami dhe të institucioneve zyrtare në Zvicër të cilat e kanë njohur zyrtarisht dekretimin e organit në fjalë për imamin përkatës.

Imamët të cilët veprojnë në kuadër të UISHZ-së, ku bëjnë pjesë edhe të akuzuarit si selefistë, i përmbushin kërkesat e organeve kompetente në shtetin zviceran dhe qëndrimi si dhe punësimi i tyre është e ligjshme sipas ligjeve dhe zakoneve të shtetit Zviceran. Kjo është tregues se organet zyrtare përgjegjëse për rendin në Zvicër, nuk kanë pasur vërejtje konkrete në drejtim të prishjes së rendit publik në shtet, shkeljes së normave ligjore në shoqëri dhe rrezikimit të kohezionit dhe stabilitetit në shoqëri. Me këtë rast, na duhet të nënvizojmë se prej kërkesave të organeve kompetente në Zvicër është edhe ajo që imamët të ndjekin kurse të gjuhës deri në nivel të caktuar, që imamët tanë i kanë zbatuar në përpikëri dhe i kanë arritur nivelet e kurseve të gjuhës që kërkohen prej tyre. Po ashtu, ata u janë përgjigjur edhe kërkesave tjera të veçanta në kantonet ku kanë vepruar, duke ndjekur edhe kurse shtesë, si të gjuhës, po ashtu edhe kurse të integrimit, të njohurive mbi shtetin etj. Për më tepër, imamët janë nënshkrues të “deklaratës për integrim” se do t’i respektojnë ligjet dhe zakonet e shtetit zviceran dhe nuk do të ushtrojnë veprime të cilat do të bien ndesh me këto ligje dhe zakone.

Imamët në veprimtarinë e tyre, çdo here janë në bashkëpunim të ngushtë me kryesitë e qendrave ku e ushtrojnë detyrën e tyre, si dhe me organet kompetente të rendit dhe të pushtetit lokal në vendet ku gravitojnë. Këtë ata e dëshmojnë me takimet e rregullta me përfaqësues të institucioneve shtetërore, si të nivelit lokal, po ashtu edhe të atij kantonal dhe kombëtar.

Imamët përreth UISHZ-në, janë shembull i bashkëpunimit të suksesshëm me komunitetet e tjera fetare në vendet ku gravitojnë, me shoqërinë civile, shoqatat kulturore dhe multi-kulturore, si dhe me institucionet zyrtare. Me këtë rast, na duhet të theksojmë se ata janë bashkë-nismëtarë apo pjesëmarrës aktiv në forumet multi-kulturore dhe tryezat e dialogut ndërfetar në vendet ku e zhvillojnë veprimtarinë e tyre, me çka botërisht dhe në vepër e dëshmojnë përcaktimin e tyre për integrim, tolerancë ndërfetare, koekzistencë me pjesëtarët e feve të tjera, kohezion shoqëror dhe bashkëpunim të frytshëm me të gjitha strukturat për të mirën e shoqërisë. Me këtë rast, lista e aktiviteteve të xhamive dhe të imamëve të nderuar, në drejtim të integrimit të komunitetit musliman shqiptar në shoqëri si dhe aksionet e tyre të karakterit human dhe shoqëror, është shumë e gjatë dhe shumëngjyrëshe, si aksioni i dhurimit të gjakut, tryezat e rrumbullakëta me pjesëtarë të religjioneve të tjera, darkat e Ramazanit ku thirren përfaqësues nga institucione të ndryshme në vendet ku gravitojnë, dita e derës së hapur të xhamisë, etj.

Me qëllim të ngritjes së nivelit të dijes fetare dhe integruese të komunitetit, xhamitë organizojnë edhe seminare, tribuna dhe panele të ndryshme shkencore, ku ndodh që të thirren edhe profesionistë të lëmenjve fetarë nga vendlindja, e që në të shumtën e rasteve bëhet edhe me kërkesë të vetë një pjese të komunitetit. Me këtë rast, thirrja e imamëve nga vendlindja, është bërë dhe bëhet akoma duke marrë parasysh që këto personalitete të ftuara të jenë profesionistë të lëmenjve përkatës dhe të punësuar në organin zyrtar fetar në vendlindje, i cili njihet edhe nga shteti Zviceran si përfaqësues i muslimanëve të atij vendi, dhe me të cilin vetë shteti Zviceran ka marrëveshje bashkëpunimi për çështje të caktuara.

Xhamitë nuk janë organe hetuese dhe për këtë ato e njohin parimin e prezumimit të pafajësisë derisa nuk vërtetohet e kundërta. Andaj ato nuk kanë pasur të dhëna shtesë se personat e ftuar ndodhen nën hetime dhe se ngjarjet rreth tyre në të ardhmen mund të zhvillohen në drejtim negativ. Imamët e ftuar që më vonë në vendlindjet e tyre janë fajësuar si të dyshimtë, me rastin e ardhjes së tyre në Zvicër, nga përfaqësitë diplomatike zvicerane atje u është lëshuar vizë e rregullt për hyrje në Zvicër.

Ata janë ftuar të ligjërojnë në tema të caktuara nga vetë udhëheqësia e xhamive, e që kanë qenë në drejtim të avancimit të shpirtit tolerant dhe integrues në komunitet. Ata janë profesionistë të fushave të veta dhe mbajnë përgjegjësi për lëndën që kanë trajtuar dhe fjalët me të cilat i janë drejtuar auditorit. Në qoftë se UISHZ më vonë konstaton se një akreditim ose një fjalim i këtyre personave nuk i përmbush kërkesat e nevojshme profesionale dhe përmbajtjesore, UISHZ reagon sipas rastit dhe e korrigjon atë.

UISHZ që nga fillimi i ka mbështetur përpjekjet për arsimimin dhe edukimin e imamëve këtu në Zvicër dhe e përshëndet themelimin e Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (SZIG) pranë universitetit të Freiburgut, në këshillin konsultativ të së cilës ndodhet edhe një imam i yni. Momentalisht jemi në planifikim e sipër të më shumë seminareve që do të realizohen në bashkëpunim me SZIG dhe UISHZ në vitin e ardhshëm akademik. Në këto seminare do të trajtohen temat që kanë rezultuar se kanë nevojë të trajtohen nga ana e projektit të kësaj qendre me titull “Trajnimet islame në Zvicër – gjendja faktike dhe analiza e nevojave”.

UISHZ, duke dashur që të jetë e përpiktë në linjën institucionale dhe të prezantohet në opinion si organizatë e përgjegjshme dhe serioze, duke e ditur peshën që ka fjala e imamit dhe përgjigjet e tij në çështjet fetare në komunitetin ku vepron dhe më gjerë, ka formuar edhe departamentin për pyetje fetare, të njohur si departamenti për fetva, me qëllim që përgjigjet në pyetjet fetare të mos jenë individuale, por kolektive, të trajtuara e të shoshitura mirë nga disa teologë kompetentë, e jo vetëm nga një teolog, me çka ne e tregojmë seriozitetin tonë për të qenë sa më të përgjegjshëm, më të vëmendshëm e më të matur në vlerësime dhe përgjigje.

UISHZ do të vazhdojë të luajë rol pozitiv sikur deri më tani dhe të jetë aktiv në shoqëri duke e promovuar integrimin si përcaktim jetik të komunitetit musliman shqiptar, vlerat e vërteta islame në komunitet, larg çdo qëndrimi ekstremist. Marrë parasysh këtë përcaktim të rëndësishëm të UISHZ-së dhe imamëve që e përbëjnë atë, është obligim moral i faktorëve të ndryshëm në shoqëri që t’u ndihmojnë atyre në realizimin e përcaktimeve të tyre. Bashkëpunimin me respekt dhe mbështetje të ndërsjellë UISHZ e  sheh si detyrë morale të të gjithëve, me qëllim të sigurimit të një të ardhme të lirë e paqësore në vendin tonë ku jetojmë.

 

Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër